Orët në Mitologjinë Shqiptare


Figurë e mitologjisë shqiptare. Në besimet popullore, Ora “paraqitet si një gjë e padukshme, përgjithësisht pa trup dhe pa formë, përvec se kur është e trupëzuar”, si një vashë a gjarpër që ruan një njeri, një shtëpi, një fis etj. Kështu, Shala e di se Orën e vetë e ka në majën e Rrshellit. Ajo është këshilltarja e kreshnikëve. Besohej se jetonte në male, pyje, kroje, ose pranë njerëzve, u ndihmonte të mirëve dhe ndëshkonte të këqinjtë.

Në shpellën e kreshnikëve, Ora i shfaqet Mujit si ‘nji gjarpër i madh shkrola-shkrola’, që qëndron në bisht e shndërrohet në një ‘vashë bardhushë’, të ‘bukur si drita’, apo si në këto vargje të ciklit të kreshnikëve: “Gja e vogël ora që po ishte, Si dy rrufe n’at ballë dy sy m’i kishte.” Krejt i ndryshëm është përshkrimi që na ka lënë Mis Durhami. Sipas saj, Orët “zakonisht duken natën si shkëndija të bukura” . Ato i vërtiten përreth udhëtarit, duke e hutuar, për të mos e lënë të shkojë më tej. Në kësi rastesh, duhet të rrish e të presësh deri sa të këndojë gjeli i parë, kur ato zhduken menjëherë.

Vec kësaj, Orët, me sa duket, kanë ëndje edhe për gjëra të tjera: ato u hipin kuajve natën dhe u lidhin nyje krifat. Këto nyje nuk duhen zgjidhur kurrsesi. Orët ruajnë edhe thesaret e fshehura, prandaj i ngatërrojnë kërkuesit që të mos t’i gjejnë. Vendpushimet e zakonshme të orëve ishin mrizet. Për këtë arsye, malësori shqiptar i konsideronte të paprekshëm këta lisa të shenjtë. Besohej se po të pritej lisi i ndonjë mrizi, madje qoftë dhe vetëm një degë e tij, dëmtuesi ose ndonjë pjestar i familjes së tij do të pësonte medoemos ndonjë fatkeqësi. Orët pushonin edhe në udhëkryqe, në qafa malesh, në ballë të urave, në brigjet e lumenjve e të përrenjve etj.

Emri i orëve shpeshherë nuk zihej në goje se ishte tabu, prandaj dhe zëvendësohej me emërtime eufemistike, si psh., “Qofshin të bardhat” etj. Del në shumë shprehje e frazeologji popullore: Ora e shpis, Ora e njerit, Ora e fisit, Ora e bajrakut; ndihmo Zot e Ora e Shalës!, e ka Orën e madhe; të dektë Ora! t’u vraftë Ora!, t’u ligtë Ora!, e ka Orën e cuet, njeri me Orë, Orëbardhë, Orëlig, Orëpremë, Orëzi, Orëzezë, Orëfjetë, Orëshambë, më poq Ora, më qiti Ora, më ruejti Ora!, më tha Ora, njeri që flet me Orë, të marrtë Ora e ligë!, pac Orën e mirë! Njeri me Orë etj.).

Ka shumë të ngjarë që, ashtu si zanat, edhe tek Orët të ruhen figura të lashta të kohëve pagane, të përtëritura me një emër të ri. Në Shqipëri ekzistojnë shumë toponime, që lidhen drejtpërsëdrejti me këtë figurë: Kroi i Orëve (Shalë e Rragam-Tropojë), Logu i Orëve (Kir-Pult), Shpella e Orëve (Ganjoll), Bira e Orvet (Aprripë e Gurit-Pukë), Shpella e Orëve (Mërtur). Por meqë Ora është dhe roje, gjejmë edhe toponime ku pasqyrohet ky tribut i saj, si: Shkami i Rojes (Aprripë-Pukë), Shpella e Rojes (Gushtë-Shllak).

Marrë nga Fjalori i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare.

Për më tepër materiale të këtij lloji klikoni këtu:

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s